Mesfushori ishte afër ekipit grek të futbollit. Publikimi i bisedës së videos me menaxherin Çaushi bllokoi gjithçka, tani kërkon mundësi të reja
Një ndër personazhet më pikant të sezonit që lamë pas ishte Emiljano Vila. Mesfushori u përfshi në skandalin e përgjimeve dhe publikoi bisedën ndërmjet tij dhe menaxherit Drini Çaushi. Ky i fundit i kërkonte që të toleronte në ndeshjen ndërmjet Partizanit dhe Kukësit. 29-vjeçari ka regjistruar gjithçka dhe klubi i “demave” e publikoi përmes medieve. Vila mori shumë urime dhe u vlerësua për gjestin që bëri në publikimin e videos, por jo gjithçka shkoi mirë për të. Në këtë rast, s’po flasim për pikëpyetjet e lindura nga frazat e menaxherit Çaushi që i përsëriste se ai dinte si “gatuheshin” tolerimet e as për faktin se pse ishte Vila “i sulmuari”. Po flasim për të ardhmen e tij, pasi futbollisti ka bllokuar transferimin e tij te Kerkyra në Korfuz. Negociatat ishin hapur dhe ai ishte shumë afër realizimit të kësaj marrëveshje, por pas publikimit të videos gjithçka u bllokua.
GREQIA – 29-vjeçari po shijon pushimet e tij në Greqi dhe është në pritje të rifillimit të stërvitjes me “demat”. Burime pranë lojtarit tregojnë se ai po kërkon kontakte të reja për të parë mundësinë e një transferimi në Greqi. Diçka e tillë shihet shumë e vështirë, gjithsesi Vila po i lëviz edhe ato mundësi që i kanë mbetur.