Xhenoa prish kështjellën Juventus. Pa Ronaldon dhe i dehur nga kualifikimi në Champions, ekipi bardhezi është mposhtur pastër me shifrat 2-0 nga klubi ligur. Kështu, “Zonja e vjetër” merr humbjen e parë për këtë sezon pas plot 28 javësh.
Ndeshja nisi e mirë dhe me këmbëngulje nga vendasit, të cilët fituan dhe një 11-metërsh në minutën e 32-të, por pas konsultimit me sistemin VAR, gjyqtari kryesor ndërroi mendje. Kështu, pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa e dyta nisi menjëherë më ritëm.
Dibala gjeti golin në minutën e 56-të, por ishte sistemi VAR përsëri që u bë protagonist, duke anuluar gjithçka. Momenti kyç i sfidës, erdhi në minutën e 72-të, kur ishte “ish-i” i takimit, Stefano Sturaro, i cili çoi në avantazh Xhenoan pas një goditje të bukur.
Nëntë minuta më vonë, ishte përsëri ekipi i Prandelit, që gjeti dhe golin e sigurisë, me autor Goran Pandev, ish-lojtar i Interit. Maqedonasi i çmendur në festë pas golit, po ashtu si tifozët e tij, me Xhenoan që pasi i mori një pikë në “Allianz Stadium” në fazën e parë, tashmë i merr dhe tre të tjera në “Marassi”.