Vijareali ka marrë një triumf jetik përballë Sevijas pasditen e sotme, teksa ka fituar me shifrat 3-0 ndeshjen e luajtur në “El Madrigal”. Një fitore, që vjen pas plot tre muajve pa shijuar tri pikët në kampionat.
Heronjtë e takimit ishin mbrojtësi Alvaro dhe Karl Toko Ekambi, të cilët shënuan që në fraksionin e parë, duke “vrarë” ndeshjen në një farë mënyre. Në minutën e 20-të Alvaro shënoi golin e parë, ndërsa në minutën e 45-të, një asist fenomenal i Karlos Bakës, u shndërrua në gol nga Ekambi.
Pjesa e dytë u administrua mjaft mirë nga “nëndetsja e verdhë”, e cila gjeti dhe golin e tretë në fund të takimit me anë të Alfonso Pedrazës.
Gjithsesi, pavarësisht fitores Vijareal, vijon të mbetet në zonën e ftohtë, ku ndodhet në vendin e 18-të me një pikë më pak se Selta Vigo. Sevija nga ana tjetër, sheh t’i përmbyset sezoni, pasi tani rrezikojnë dhe vendin e katërt, me ndjekësit që janë shumë pranë.
La Liga | Java 24
Vijareal – Sevija 3-0
Shënues: Alvaro 20’, Ekambi 45’, Pedraza 87’