Sevija ka kaluar më tej në Europa League, duke eliminuar ekipin e Lacios me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Pas fitores në Itali me shifrat minimale, andaluzianët fituan përsëri, kësaj here në Spanjë, pastër 2-0, me gola të Ben Jeder e Sarabia.
Sfida nisi mirë për Lacion, me bardhekaltrit që u treguan këmbëngulës dhe rrezikuan dy herë me anë të Luliç dhe Kataldit. Gjithsesi, në minutën e 20-të, ishte i njëjti autor që i ndëshkoi në Itali, Uisam Ben Jeder, i cili shënoi golin e avantazhit për Sevijan.
Pas një topi të goditur nga Sarabia, Strakosha reagoi mjaft mirë, por topin e kthyer nga portieri ynë e shfrytëzoi mjaft mirë sulmuesi francez. Kështu, pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Sevijas 1-0.
Pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar dhe me ritëm, ku u dhanë dhe dy kartonë të kuq. Fillimisht, u ndëshkua Franko Vaskez, i cili la Sevijan me 10 lojtarë. Lacio u mundua të rikthehej në lojë për kualifikim, por Imobile dhe Açerbi shpërdoruan dy raste ideale të vetëm përballë Vaçklik.
Më pas ishte Marusiç, i cili u ndëshkua me karton të kuq, duke shuar gati çdo shpresë për Lacion. Në minutën e 79-të, mendoi Pablo sarabia për të mbyllur gjithçka, teksa shënoi golin e dytë për Sevijan, duke çuar rezultatin e përgjithshëm të dy takimeve në 3-0. Kështu, andaluzianët kalojnë më tej, duke nxjerrë jashtë Lacion.
Europa League
Faza e 1/16-ave
Sevija 2-0 Lacio
Shënues: Ben Jeder 20′, Sarabia 79′