Besnik Hasi ka marrë një pikë të artë me skuadrën e Al Raed në kampionatin e Arabisë Saudite. Ekipi i trajnerit shqiptar e ka mbyllur me rezultatin 1 – 1 transfertën ndaj kryesuesve të Al Hilal. Të dy golat u shënuan në minutat e fundit të takimit.
Vendasit e Al Hilal shënuan të parët në minutën e 92-të dhe kujtuan se fitorja ishte e tyre, por në minutën e 94-të, ekipi i Hasit shokoi vendasit duke barazuar rezultatin pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Ferhan Hasani. Topi i harkuar nga ish-sulmuesi i Shkëndijës u shfrytëzua mjaft mirë nga sulmuesi Abu Sharahah.
Me këtë barazim, skuadra e Hasit shkon në kuotën e 22 pive, shtatë pikë larg zonës së ftohtë. Teksa ka kaluar më shumë se gjysma e kampionatit, ekipi Hasit ka arritur të regjistrojë 6 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje.