VIDEO | Sherri pas Tirana-Laçi, rrezikojnë disa lojtarë

Klubi i Tiranës vuri në dispozicion të mediave pamjet e sherrit të ndodhur në korridoret e stadiumit. Si nisi, kush e nisi e si shkoi është një çështje tjetër, por nga ato që tregojnë pamjet, janë disa që do e pësojnë nga Komisioni i Disiplinës. Sigurisht, mund të pësojë edhe ndonjë tjetër, nëse ky komision kërkon edhe pamjet e kapura edhe nga kamerat e tjera.

Nga Laçi rrezikojnë presidenti Pashk Laska, i cili shihet duke replikuar me Majkëll Ngo, djali i tij Kleo, si dhe zëvendëstrajneri Klevis Hima. Domgjoni, Imami dhe Hasani ndërhyjnë që të mos ketë goditje. Më së shumti pati shtyrje dhe tentativa për të goditur, sigurisht të dënueshme. Anglezi i Tiranës, por edhe zyrtarët e kurbinasve do të jenë objekt dënimi i Komisionit të Disiplinës.

Nga i gjithë sherri, më i dëmtuari ka dalë mbrojtësi Taulant Sefgjini. Në momentin e rrëmujës shikohet duke ndërhyrë. Të paqarta pamjet nëse ka goditur. Greca shihet duke tërhequr Sefgjinin dhe nga pamjet duket portieri i Tiranës që turret drejt lojtarit të Laçit, i cili del më pas duke mbajtur dorën në kokë. Ai është parë i ënjtur më pas nën shoqërinë e delegatit Bujar Prenga.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *