Xhevahir Sukaj, sulmuesi shkodran i Flamurtarit, i shënoi një gol mjaft të bukur Kukësit në fundjavë. Vlonjatët triumfuan dhe kështu diferenca e verilindorëve me Partizanin kryesues shkoi në 12 pikë. Kështu, duket se titulli është një çështje e mbyllur këtë sezon.
Sukaj, mbrëmë ishte i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel dhe u ngacmua disa herë. Fillimisht u pyet nëse kishte pasur ndonjë mesazh nga të kuqtë: “Nuk kam pasur asnjë kontakt me ata të Partizanit. Ndonjë shpërblim për golin? (Qesh). Ne shpikëm edhe pagesën për gol. E kishim për detyrë, sepse është ajo shprehja që kur e bën diçka të mirë, duhet ta mbash”.
Shkodrani analizon ndeshjen dhe lëshon një batutë: “E nisëm keq ndeshjen dhe më pas e morëm veten. Kukësi ka 4-5 lojtarë të mirë, por nuk mendojnë për pjesën prapa. Kështu që i kapëm, arritëm t’u shënonim një gol me fat. Na kujtoi golin e Mesit ai i yti? Një moshë jemi (qesh)”.
Pagat tema tjetër, ndërkohë që sërish ka batuta. “Xhevo, me dy gishta nuk merr lekë te Flamurtari? Nuk ka gjë, opozitë rrimë. Presidenti na ka thënë që këtë javë do ju shoh me xhepa plot. Na ka thënë që ju keni fituar pa lek, tani do ju shoh me lek. Na ka premtuar të paguhemi. Aty kemi një grup shumë të mirë lojtarësh”.
Një javë më parë Sukaj i shënoi edhe Tiranës, ndërkohë që para se të realizonte mund të dilte me karton të kuq për ndërhyrjen e bërë ndaj Erando Karabecit. Vendimin e arbitrit, sulmuesi e justifikoi kështu: “Lojtarët që nuk janë të dhunshëm, shpesh arbitrat i falin. Sjellja ndikon”.
Në të njëjtën linjë me të ishte edhe Lorenc Jemini, ish-arbitri ndërkombëtar. Ai u shpreh se shpesh vendoset edhe me opinion, duke ditur sjelljen e lojtarëve. “E keni parë, Muzaka nuk merr gati asnjëherë kartonë. Kjo prej sjelljes korrekte”, tha mes të tjerash Jemini, i cili është i ftuar i përjavshëm në emision dhe bën specialistin e moviolës.