Eldorian Hamiti ishte përzgjedhur për të gjykuar Partizani-Tirana dhë në pjesën e parë pati një rast ku lojtarët e “demave” protestuan për penallti. Lorenc Trashi ishte ai që përfundoi në tokë pas një sparkate të Toni Mauexhe.
Për kryesorin e takimit kishim të bënim me simulim dhe për këtë Trashi u ndëshkua me karton të verdhë. Mbrojtësi i majtë në pushim të ndeshjes u shpreh në “Supersport” kështu: “Të them të drejtën m’u duk penallti. Duke biseduar me gjyqtarin ma bëri të ditur se ishte simulim”.
ÇEKAJ – Një koment për rastin në fjalë e ka bërë edhe ish-gjyqtari, Sokol Çekaj. Ky i fundit mendon se Hamiti ka vepruar drejt dhe ka argumentuar se pse. “Për të sqaruar këtë rast të vështirë për arbitrin në ndeshjen Partizani-Tirana, mendoj që arbitri Hamiti ka vepruar drejt, kur ndëshkoi me simulim lojtarin e Partizanit”, shkruan Çekaj në llogarinë e tij në “Facebook”.
Më tej ai bën edhe analizën e asaj që ndodhi në aksion: “Duket qartë në pamjet filmike që lojtari i Partizanit fillon rrëzimin, sapo sheh që kundërshtari i afrohet, për të marrë penallti. Mbasi ka filluar simulimin, kemi në rënie e sipër kontaktin me mbrojtësin”.