Toronto Raptors dhe Denver Nuggets kanë triumfuar, duke marrë kryesimin pas ndeshjeve të pesta të gjysmëfinaleve të konferencave. Kanadezët mposhtën Philadelhpia 76ers 125-189, në një ndeshje ku diferenca u bë në periodën e dytë dhe të katërt. Pascal Siakam (25 pikë, 3 asiste, 8 rebound) dhe Kawhi Leonard (21 pikë, 4 asiste, 13 rebound) morën për dore Raptors, që janë një fitore larg finales.
Kyle Lowry (19 pikë) dhe Danny Green (17 pikë) dhanë një ndihmë të madhe gjithashtu në arritjen e këtij triumfi. Jimmy Butler për 76ers arriti të shënojë 22 pikë, kurse Joel Embiid u ndal në kuotën e 13 të tillave. Tashmë u mbetet të tentojnë të reagojnë në ndeshjen e gjashtë.
Denver Nuggets-Portland Trail Blazers vazhdon të dhurojë emocione, por këtë vendasit kanë dominuar totalisht. Plot 28 pikë diferencë pas tre periodave të para, rezultat që flet vetë. Nikola Jokiç u tregua sërish një përbindësh, teksa shënoi 25 pikë, asistoi 6 herë dhe rikuperoi 19 topa në tabelë.
Paul Millsap ishte gjithashtu në lartësinë e duhur, duke realizuar 24 pikë, sikurse edhe Jamal Murray. Ky i fundit, veç 18 pikëve regjistroi edhe 9 asiste e 5 topa të rikuperuar në tabelë. Damian Lillard për Blazers shënoi 22 pikë dhe nuk pati mbështetjen e pjesës tjetër të skuadrës për t’i rezistuar Nuggets.
NBA | PLAY-OFF (GJYSMËFINALET E KONFERENCAVE)
Toronto Raptors-Philadelphia76ers 125-89 (3-2)
(27-26; 37-17; 28-27; 33-19)
Denver Nuggets-Portland Trail Blazers 124-98 (3-2)
(31-25; 34-22; 28-18; 31-33)