Levante arriti një fitore tepër të rëndësishme për mbijetesën. Ekipi i Enis Bardhit fitoi në shtëpi ndeshjen direkte kundër Rajo Vajekanos me rezultatin 4-1.
Vendasit humbën një penallti në pjesën e parë, ndërsa Rajo e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak. Ndërkohë që rezultati ishte 3-1 për Levanten, Bardhi shënoi golin e katërt në minutën e fundit.
Mesfushori mori një pasim nga Simon dhe lëshoi një të djathtë të pakapshme nga brenda zonës. Miqtë pretenduan për pozicion të parregullt të 23-vjeçarit, por VAR-i e konfirmoi golin si të rregullt.
Kjo ishte rrjeta e dytë e Bardhit për këtë sezon (numëron edhe 4 asiste), ndërsa Levante është ngjitur në kuotën e 40 pikëve.