Pietro Pelegri është vetëm 17 vjeç, por sulmuesi i Monakos ka thyer disa rekorde që në fillimet e karrierës së tij. Në janar të këtij viti, Pelegri (pa i mbushur akoma 17 vjeç) u transferua nga Xhenoa te Monako për shifrën e 31 milionë eurove. Italiani pësoi një dëmtim të rëndë, që e mbajti larg fushave për një periudhë të gjatë, por sot është rikthyer… me gol.
Monako humbi ndeshjen me Bordo me rezultatin 2-1, ndërsa Pelegri barazoi rezultatin përkohësisht në minutën e 63’. Me këtë gol, ai bëhet shënuesi i dytë më i ri në historinë e futbollit francez në moshën 17 vjeç, 5 muaj dhe 9 ditë. Sipër tij ndodhet një “mostër” si Kilian Mbape, i cili ka qenë vetëm 4 muaj më i ri se italiani kur shënoi golin e parë në Liga 1.
Pelegri debutoi me Xhenoan në Serinë A në moshën 15 vjeçare, duke u bërë lojtari më i ri debutues në 40 vitet e fundit për klubin më të vjetër në Itali dhe duke barazuar rekordin e Amedeit si debutuesi më i ri në historinë e futbollit italian.
Në ndeshjen e tij të dytë në Serinë A, Pelegri gjeti golin në “Olimpico”, duke u bërë shënuesi i tretë më i ri në futbollin italian, mbas Amedeo Amedeit dhe Xhani Riverës. Goli i shënuar përballë Romës, përkonte me ndeshjen e lamtumirës së një legjende si Françesko Toti.
Pelegri nuk u ndal dhe në ndeshjen përballë Lacios, zhvilluar 17 shtatorin e vitit të kaluar, ai shënoi një dopietë duke u bërë futbollisti i parë i lindur në shekullin e ri, i cili shënon më shumë se një gol brenda ndeshjes. Rekordi nuk i përkiste më futbollit italian, por gjithë kampionateve kryesore të Europës.
Me Monakon, ai theu një tjetër rekord në ndeshjen e tij të parë. Pelegri debutoi në fund të shkurtit të këtij viti në ndeshjen e fituar përballë Dizhonit. Rekordi i përkiste Mbapesë, i cili kishte debutuar në Liga 1 në moshën 16 vjeç e 347 ditë, ndërsa Pelegri ishte 16 vjeç e 336 ditë, pra vetëm 11-të ditë më i ri.
E ardhmja e sulmuesit italian është e ndritur dhe Monako ka në duar një yll të vërtetë, i cili është gati për të thyer të tjera rekorde, edhe pse ai e ka shkruar emrin e tij në historinë e futbollit.