VIDEO | Pesë gola në “Anfield”, legjendat e Liverpulit dhe Milanit dhurojnë spektakël

Është mbyllur me triumfin e Lievrpulit miqësorja e legjendave të “The Reds” dhe Milanit. Një ndeshje spektakolare, siç jemi mësuar gjithmonë në përballjet e tyre. E tillë ka qenë edhe sfida e sotme, teksa janë shënuar plot 5 gola, me rezultatin final 3-2 në favor të anglezëve.

Në fushë ekipet zbrisnin me emra të mëdhenj, ku te Liverpuli luajtën lojtarë si Zherrard, Ouen, Dukek, Sise, Karrager apo dhe Hipia. Nga ana tjetër, te Milani ishin Dida, Maldini, Kostakurta, Pirlo, Ambrozini, Gatuzo, Kaka apo dhe Inzagi.

Sfida nisi më mirë për të kuqtë, të cilët kaluan në avantazh me anë të Robi Fouler, duke e mbyllur pjesën e parë me fitoren minimale.

Në fillimin e pjesës së dytë ishte Xhibril Sise, i cili dyfishoi shifrat, teksa i vetëm përballë portierit Abiati nuk gaboi.

Milani arriti të reagojë dhe në minutën e 61-të ishte momenti për të shijuar një nga perlat e Andra Pirlos. Legjenda shënoi nga një goditje dënimi, duke treguar se ka ende klas në këmbët e tij.

Në minutën e 78-të, Milani baraspeshoi shifrat me anë të Xhuzepe Pankaros. Ish-mbrojtësi shënoi një gol mjaft të bukur, teksa goditi drejt e në trekëndësh.

Gjithsesi, nuk do të kishte kuptim ndeshja pa një gjurmë nga kapiteni legjendar i Liverpulit, Stiven Zherard. Pikërisht ky i fundit shënoi golin e fitores për ekipin e tij, pas një goditje të saktë me të djathtën.

Liverpul 3-2 Milan
Shënues: Fouler 25’, Sise 51’, Zherard 80’ / Pirlo 61’, Pankaro 78’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *