VIDEO | Perla e brazilianit nderon Juven, shmanget humbja

Dy gola të Matuidi dhe brazilianit Pereira në minutat e fundit kanë shmangur humbjen e Juventusit në miqësoren e sotme. Djemtë e Sarrit kishin përballë yjet e kampionatit të Koresë së Jugut.

Osmar zhbllokoi shifrat me një supergol në minutën e shtatë, ndërsa Juventusi barazoi pas katër minutash me anë të 21-vjeçarit Muratore. Gjithsesi, në fundin e pjesës së parë festa ishte përsëri për koreano-jugorët, të cilët shënuan me anë të brazilianit Cesinha.

Sulmuesi, i cili aktivizohet për ekipin e Daegut shënoi një gol mjaft të bukur, por ajo që vodhi vëmendjen e të gjithëve ishte festa. Cesinha së bashku me disa lojtarë të ekipit të tij festuan “alla-Ronaldo”, me portugezin që u fokusua nga kamerat i zhgënjyer në stol.

Kaq për pjesën e parë. E dyta nisi me gol dhe ishin vendasit që shënuan të tretin. Aksioni i bukur u konkretizua nga australiani Tagart. Kampionët e Italisë reaguan dhe arritën të barazonin ndeshjen.

Matuidi shënoi golin e dytë me kokë në minutën e 78-të, ndërsa pas tre minutash erdhi edhe goli i barazimit. Mateus Pereira kreu një driblim fantastik brenda zonës dhe mposhti portierin kundërshtar me një goditje të fortë. Gol fantastik i 21-vjeçarit brazilian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *