Partizani vijon me miqësoret në Turqi dhe këtë herë të kuqtë janë përballur me Antaljaspor, në një ndeshje që është mbyllur në barazim 1-1 dhe turqit kishin përzgjedhur më të mirët. Binte në sy Ali Sisoko, i cili ka luajtur me Porton, Lionin, Valencian dhe Liverpulin.
Trajner Skënder Gega kishte bërë revolucion në skuadër, teksa nga minuta e parë e kanë nisur nga titullarët Mensah dhe Belica. Turqit që në minutën e dytë kanë arritur të shënojnë përmes Sinik dhe pjesa e parë është mbyllur me epërsinë e tyre, edhe pse Çinari i është afruar golit të barazimit. Në të dytën Gega ka bërë lëvizje dhe reagimi ka qenë i menjëhershëm.
Sulmuesi Jurgen Bardhi ka arritur të shënojë që në minutën e parë dhe ka barazuar shifrat në 1-1. Me titullarët në fushë, Partizani nuk ka pësuar më gol dhe deri në fund rezultati i takimit nuk ka ndryshuar. Trashi ka rrezikuar me një goditje dënimi, por portieri kundërshtar nuk ka lejuar prekjen e rrjetës.
Edhe këtë herë nuk ka pasur minuta për Rubin Hebajn. Sulmuesi shkodran ka pasur shqetësime të vogla muskulore dhe është lënë pushim. Ky është barazimi i dytë për Partizanin, teksa më parë ka dalë po 1-1 kundër Sivasporit. Takimi i fundit miqësor për të kuqtë është programuar ndaj Dinamos së Zagrebit javën e ardhshme.
MIQËSORE – E PREMTE, MË 11 JANAR, ORA 13:30
ANTALJASPOR-PARTIZANI 1-1
Shënues: Sinik 2’ / Bardhi 46’
Antaljaspor: Bofin, Angelo, Ëzmert, Jildirim, Drole, Sinik, Erdinsh, Dukara, Dursun, Sisoko, Sangare
Partizani: Xhika, Ferati, Bitri, Belica, Kalari, Kote, Kodra, Çinari, Mensah, Hyseni, Jusufi (U aktivizuan: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Trashi, Telushi, Mala, Hila, Bardhi, Cardoso, Asani). Trajner: Skënder Gega