Partizani luajti sot një miqësore përballë skuadrës slovene, NS Mura, takim në të cilin u mund 2-1. “Demat e Kuq” prodhuan shumë pak në këtë takim dhe raste të pastra për gol nuk arritën të krijonin, pavarësisht se trajneri i ri, Franko Lerda, rreshtoi një ekip shumë sulmues në fushën e lojës.
Vendasit e Murës shënuan shumë shpejt, që në minutën e 23’ të takimit. Partizani lë hapësira në krahun e djathtë dhe Mura shfrytëzoi mjaft mirë, duke krosuar në qendër dhe duke shënuar, me anë të sulmuesit Marosa. Me këtë gol, u mbyll pjesa e parë.
Lerda bëri shumë ndryshime në formacion në pjesën e dytë, por sërish Partizani pati vështirësi në ndërtimin e aksioneve të rrezikshme. Mura shënoi sërish në minutën e 72’, me anë të Maruskos. Ky i fundit është në pozicion të dyshimtë, por arrin të gjejë rrjetën dhe për gjyqtarin është gol i rregullt.
Në minutat e mbetura të takimit, të dyja skuadrat rezervuan energjitë dhe evituan dëmtimet. Partizani do të arrinte të shënonte një gol në sekondat e fundit, me anë të Çinarit. Ky gol vendosi dhe rezultatin final të sfidës, që u mbyll 2-1 në favor të Murës.
Miqësore, 26 qershor, 2019
Mura (SLO) – Partizani (ALB) 2-1
Marosa 23′, Marusko 72′ / Cinari 90+2′
EPISODET –
90+2’ – Gol Partizani, shënon Çinari. Sulmuesi i “Demave” merr një pasim të bukur nga Asani dhe i vetëm përballë portierit, nuk e ka të vështirë të shënojë. Me këtë gol, mbyllet dhe takimi miqësor.
72’ – Partizani pëson dhe golin e dytë. Të kuqtë nuk arrijnë dot të largojnë siç duhet një top në hyrje të zonës dhe vendasit arrijnë të përfitojnë, duke shënuar dhe golin e dytë. Ka protesta për pozicion të parregullt, por gjyqtari akordon golin.
23’ – Ndëshkohet Partizani. Një krosim nga e majta e lojtarëve të Murës shfrytëzohet mjaft mirë nga sulmuesi vendas, i cili i shpëton mbulimit të Belicës dhe mposht portiern Hoxha.
Formacioni i Partizanit: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Bitri, Trashi, Telushi, Hila, Mala, Asani, Mensah, Çinari Trajner: F. Lerda