VIDEO | “Njeriu që nuk kaloi detin”, përkujtohet legjenda Panajot Pano

Panajot Pano është një emër i madh i futbollit shqiptar, për të cilin edhe pas vdekjes flitet me superlativa. Një “yll” i Partizanit dhe kombëtares, përkujtohet sot nga klubi i kuq në ditën që ai do të festonte 80-vjetorin e lindjes nëse do të ishte gjallë.

https://www.facebook.com/partizaniclub/videos/330940647551386/

Një video dhe pak rreshta: “FK partizani kujton sot me respekt dhe veneracion “Nderin e kombit”, “Lojtarin e Shekullit”, Panajot Panon, me rastin e 80-vjetorit të lindjes”. Brezi i ri nuk e ka pasur mundësinë ta shohë në fushë,  por pa dyshim mund të konsiderohet Maradona i Shqipërisë. Në përkujtim të kësaj dite, ju risjellim një nga artikujt e botuar në “Sport Ekspres” për Panajot Panon, shkruar nga gazetari Anton Cicani.

RIBOTIM –  Parantezë… Më dridhet dora teksa do të shkruaj për Panajot Panon, që fatkeqësisht nuk pata mundësi të shoh, por arrita të admiroj falë videove…

Ishte viti 1927 dhe në shtetin e Floridës, shkrimtari i famshëm amerikan Ernest Heminguej do të niste të shkruante fjalitë e para në librin e tij të famshëm “Lamtumirë Armë”, teksa ishte mbyllur prej thuajse një dekade Lufta e Parë Botërore (1914-1918)… Dhe, si për ironi të fatit, pikërisht Lufta e Dytë Botërore, ajo që Heminguej nuk e kishte uruar kurrë të ndodhte, ndodhi… Ishte 1 shtatori i vitit 1939 kur Gjermania Naziste do të sulmonte Poloninë dhe do të niste kështu një tjetër konflikt të përgjakshëm…

Dhe, në atë kohë, një foshnjë i lindur në Durrës më 7 mars të atij viti, sapo do të mbushte 5 muajsh. Sigurisht, familja e tij, nuk do të mund ta kishte imagjinuar kurrë se pikërisht ai foshnjë do të kthehej në një nga figurat më të rëndësishme të sportit shqiptar dhe ambasadori i futbollit nëpër botë, edhe pse kurrë nuk arriti të kalonte në botën “e përtejme”, këtë herë e thënë jo në sensin e keq figurativ…

Ai quhej Panajot Pano, ose ndryshe “Mbreti”, shumë vite më vonë! Por, do të thoni, çfarë lidhje kanë Ernest Heminguej, që “fliste” me penë, me Panajot Panon, që “fliste” me topin dhe këmbët e tij? Pikërisht në Florida, dy “artistë”, në dy fusha të ndryshme të jetës, do të shkelnin. Edhe pse, në rastin e “Mbretit” Pano, Florida dhe qyteti i Xheksonvillit do të ishte vendi i fundit që panë sytë e tij, përpara se të mbylleshin përgjithmonë.

Ishte 19 janari 2010 dhe një ndër futbollistët më të mëdhenj të historisë së Shqipërisë, ndoshta padiskutim “Zeusi i topit” (për grekët, Mitologjia është diçka shumë e shenjtë dhe e rëndësishme), do të largohej nga kjo tokë, ndoshta për diku tjetër, që një ditë të gjithë do të zbulojmë…

Por, ajo që nuk zbulojmë dot është të shihnim “Mbretin” të luante jashtë kufijve të Shqipërisë (regjimi i ashpër diktatorial i Enver Hoxhës nuk e lejonte), në një nga kampionatet më të mëdha, sepse Panajot Pano mund të luante me skuadrat më të mëdha, me talentin, forcën e vullnetit dhe sidomos këmbënguljen e tij.

“Të gjithë donin të luanin vetëm në sulm, por mua më mjaftonte të luaja futboll, sepse e dashuroja, edhe sikur të mbroja portën!”…

Joti (nofka e tij) ishte talent i padiskutueshëm dhe ajo u vu re që në vogëli, kur të gjithë thjesht merrnin pak pushim që ta shihnin se çfarë bënte me këmbët e tij… Ai që i drejtohej topit me “ju” dhe jo me “ti”, sepse për të, topi ishte një “zotëri” dhe jo një “person i çfarëdoshëm”…

Jo më kot, Skënder Halili, ndër një mbrojtësit qëndror më të fortë të historisë së futbollit shqiptar, e dalloi dhe menjëherë vendosi që ta merrte në vitin 1995 te të rinjtë e Tiranës, që në atë kohë quhej “Spartak Tirana”.

Por, në duart e mjeshtrit Xhavit Demneri do të fërgohej dhe skalitej figura e një futbollisti që do të mahniste të gjithë, thuajse si romanet e bukura të Heminguejt… Të lexosh dhe zhytesh në historinë e Panajot Panos të duket si një luftë e vazhdueshme mes “Plakut dhe Detit”, edhe pse në këtë pikë, “Deti” ishte shumë i madh për t’u kaluar nga “Mbreti”. Nuk e dimë se si do të kishte vijuar karriera e tij jashtë Shqipërisë, por dimë që kur presidenti i Fenerbahçes në atë kohë, Myslmim Bey, mbeti i ngazëllyer nga ajo që kishte parë në fushë dhe te Pano, arriti të prononconte këto fjalë: “Pele dhe Eusebio janë futbollistët më të fortë në botë, por Pano është futbollisti më i fortë që kam parë në këtë fushë”…

“I shpejtë si era”, “Forcë e pandalueshme” dhe “Pushkashi i vogël shqiptar”. Por, Panajot Pano ishte “Maradona” i Shqipërisë, për strukturë, talent dhe numrin që mbante në fanellë, 10-ta magjike.

“Një futbollist si ky lind njëherë në 200 vjet”, do të thonin. Ndoshta, u gabuan, sepse nuk lind kurrë më! “Mbreti” ishte… “Mbreti”. Dhe sot, pasi janë mbushur 50 vjet nga ndeshja historike dhe “turpi i Tiranës” për Gjermaninë Perëndimore (0-0 në “Qemal Stafa”, 1967), mbahet mend mirë nga Franc Bekenbaueri, ose ndryshe “Kaizeri”, që do të prononcohej kështu…

“Edhe pse Pano në të ardhmen nuk do të më kujtojë, unë do të kujtohem gjithmonë për të”…

Tirana dhe Partizani. Për “Jotin” ishin vetëm këto dy skuadra dhe kaq… Ndoshta, nëse do të bëhej një parafrazim me filmin “Legjenda e pianistit në Oqean”, që e kaloi gjithë jetën në det dhe, në ditën kur tentoi të zbarkonte në tokë… u kthye mbrapsht, atëherë gjejmë krahasimin ideal. Sepse, nëse piano kishte vetëm ato 88 taste, 52 të bardha dhe 36 të zeza, bota jashtë ishte një piano me taste të pafundme që pianisti nuk dinte t’i luante… Ndoshta, ky ishte edhe fati i Panos, që lindi në Shqipëri dhe bota e njohu shumë pak, por ishte fati i ne shqiptarëve që patëm një figurë të tillë në gjirin tonë…

Nëse do të gjenim një strukturë të ngjashme, menjëherë, mendja dhe sytë do të na çonin te Diego Armando Maradona ose ndryshe “El Pibe de Oro” (jo ai i sotmi, sigurisht)… Dhe, nëse Maradona shkroi historinë botëtore, Pano shkroi vetëm atë shqiptare, por kapitulli i tij mbetet edhe sot një ndër më të bukurit “të shkruar” ndonjëherë, aq sa edhe Ernest Heminguej do ta kishte pasur zili.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online