VIDEO/ Nga lotët në festë, Kristiano Ronaldo i jep fitoren Juventusit

Pritej Kristiano Ronaldo dhe portugezi nuk mungoi në apel. Pas kartonit të kuq dhe lotëve në Champions League me Valencian, ylli luzitan ishte vendimtar, duke i dhënë fitoren Juventusit në fushën e Frozinones. Goli i tij, nëntë minuta përpara fundit të ndeshjes, i hapi rrugën suksesit të bardhezinjve, të cilët kaluan 2-0 në ndeshjen që mbylli javën e pestë të Serisë A.

Juventusi nuk e ka patur aspak të lehtë përballë “bunkerit” të krijuar nga Frozinone, që mbrohej me forca të shumta, ndërsa provoi të kundërsulmonte. Kampionët e Italisë provuan me të gjitha forcat, me sulmin që përbëhej nga treshja Manxhukiç, Dibala dhe Kristiano Ronaldo. Pikërisht portugezi, në minutën e 27-të të ndeshjes provoi goditjen e 37-të në këtë kampionat drejt portës kundërshtare, duke kaluar numrin total të tentativave nga e gjithë skuadra e Frozinones.

Në një stadium të mbushur plot dhe mes entuziazmit për mbërritjen e Juventusit dhe Ronaldos, gjithçka dukej se po shkonte keq ër “Zonjën e Vjetër”. Madje, në minutën e 78-të të besuarit e Alegrit pretenduan dy prekje të njëpasnjëshme të topit me dorë, por loja vazhdoi ndërsa nuk shërbyen as protestat e bardhezinjve që kërkonin ndërhyrjen e sistemit VAR.

Në fund ishte Kristiano Ronaldo ai që zgjidhi situatën për Juventusin, duke i hapur rrugën fitores së ekipit. Në minutën e 94-t kohë kishte edhe për golin e Bernardeskit, që finalizoi një kundërsulm të shpejt të kampionëve të Italisë, të cilët regjistruan fitoren e pestë në po kaq javë të Serisë A italiane dhe tashmë kryesojnë të vetëm, me 15 pikë të plota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *