Komisioni i Disiplinës, që as gazetarët sportivë nuk e dinë nga cilët anëtarë përbëhet dhe çfarë kriteresh përdoren për përzgjedhjen e tyre, ka vendosur të përdorë provën televizive në Superiore, duke dënuar Idriz Bathën me 1 ndeshje, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit.
E padëgjuar, Disiplina hedh poshtë vendimin e arbitrit që ishte vetëm pak metra larg aksionit nën akuzë.
Qartësisht, Disiplina e FSHF-së nuk e ka idenë nga shumë gjëra dhe ndoshta e bën këtë punë për qejf, pa pagesë, se nuk shpjegohet ndryshe që të jepen kaq shumë vendime komike gjatë një sezoni dhe askush mos t’u thotë gjë.
Që të mos ofendohen Disiplinuesit e FSHF-së e të mos na hedhin në gjyq, duke ndjekur modelin e shtetit tonë që nuk të lejon më të kritikosh dhe ta mbyll gojën me gjobat e gjykatës, po japim vetëm një shembull injorance dhe paaftësie totale nga ky Komisioni ynë.
Të shtunën, pak orë para Flamurtari-Teuta, u luajt Kamza-Tirana. Sulmuesi i Tiranës, Sentamu, goditi me bërryl një mbrojtës se Kamzës. Ndoshta arbitri nuk e pa mirë dhe u mjaftua me karton të verdhë, por Supersport ishte aty për atë punë dhe e transmetoi nja 23 herë videon e bërrylin të qëllimshëm të Sentamut.
Ndoshta Disiplina e ka pasur mendjen në Vlorë, por ja ku e kanë videon, t’ia hedhin një sy, mos ndoshta ndoshta edhe ky është paksa gjest antisportiv?
Mos ndoshta atë provën televizive duhet ta përdorin edhe në ndeshje të tjera, apo vetëm në Vlorë i kanë sytë, se atje ka tension? Po atë tensionin, mos e prodhojmë arbitrat e paaftë, që anulojnë gola pa i parë fare apo nuk i japin karton Bathës kur duhet dhe e dënojnë para ndeshjes kundër Kukësit? Gojët e liga thonë që dënimi i Bathës është bërë me qëllim, por larg qoftë të dyshojmë te ndershmëria e ligjvënësve të futbollit tonë. Tani presim edhe në pezullim me provë televizive e mbyllje stadiumi, por do bëjmë si të bëjmë, do i shohim ndeshjet në televizor..