Idriz Mbombo në Shqipëri nuk la gjurmë, edhe pse debutoi me dygolësh në Kupë kundër Naftëtarit. Madje shumëkush nuk e mban mend dhe mund të thotë: “Po ky, kur ka luajtur në Superiore?!”. Sulmuesi kongolez ishte pjesë e Laçit dhe luajti vetëm 27 minuta në një takim kundër Luftëtarit. Bëhej fjalë për një të ri që bardhezinjtë e kishin marrë në huazim nga Al Shabab, klub që kishte paguar për të 225 mijë euro.
Mbombo, tanimë 22 vjeç, iku nga kurbinasit pa u mbyllur sezoni dhe aktualisht është pjesë e Al Hilal Omdurman, klub sudanez. Këtë sezon ai ka arritur të shënojë dy gola në CAF Champions League, ndërkohë që rreth 10 ditë më parë ka realizuar një perlë në CAF Confederation Cup (e barasvlershme me Europa League në Afrikë).
Sulmuesi realizoi golin e katërt në takimin Al Hilal Omdurman-Nkana, që u mbull me rezultatin 4-1. Por si e realizoi? Roveshatë, me të majtën, thuajse jashtë zone. Padyshim ky do jetë goli më i bukur i realizuar nga Mbombo.