VIDEO | Ndeshje e çmendur në Napoli, Juventusi “vret” kampionatin

0

Gola, kartona të kuq, penallti e humbur dhe spektakël. I pamë të gjitha në supersfidën Napoli-Juventus, ku në përfundim të 90 minutave, ishte ekipi bardhezi që doli me kokën lart pas fitores 1-2. Një fitore, që tashmë vret kampionatin padyshim, me “Zonjën e vjetër” që shkëputet në plot 16 pikë.

Sfida nisi mjaft e kujdesshme nga të dyja ekipet, por në minutën e 25-të një gabim trashanik në mbrojtje i Napolit, bëri që Meret të ndëshkohet me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Ronaldos.

Fillimisht, gjyqtari akordoi dhe 11-metërsh, por më pas gjithçka u qartësua dhe u dha goditje dënimi, pasi ndërhyja ishte bërë jashtë zonës. Te topi shkoi Miralem Pjaniç, i cili shënoi një perlë të vërtetë duke zhbllokuar rezultatin.

Në minutën e 39-të, bardhezinjtë i dhanë një tjetër “shuplakë” Napolit, kur Emre Xhan goditi saktë me kokë dhe ndëshkoi për herë të dytë Ospinën.

Pjesa e dytë nisi ndryshe për Napolin, që edhe pse me 10 lojtarë aktivizoi Mertens, duke ulur në stol një mbrojtës si Malkuit. Vetëm dy minuta nga nisja, Pjaniç merr kartonin e dytë të verdhë dhe forcat në fushën e lojës barazohen.

Napoli e shtoi presionin nga minuta në minutë dhe në të 61-tën Hose Kajehon, shfrytëzoi në maksimum një krosim nga e djathta për të ndëshkuar Sheznin dhe shkurtuar diferencën në 1-2.

Ekipi i Ançelotit vijoi të ushtronte presion në kërkim të barazimit dhe krijoi një volum të jashtëzakonshëm, ku në minutën e 83-të u shpërblye me një 11-metërsh. Pas konsultimit me sistemin VAR, gjyqtari Roki akordoi penallti, të cilën Insinje e shpërdoroi duke goditur shtyllën.

Juventusi arriti të rezistonte deri në fund më pas dhe mori tri pikë me vlera, duke hipotekuar kampionatin, pasi diferenca prej 16 pikësh nuk ka nevojë për shumë koment.

Serie A | Java 26
Napoli 1-2 Juventus
Shënues: Kajehon 61’ / Pjaniç 28’, Emre Xhan 39’

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.