Napoli nuk ndalet në kampionat dhe arrin të mposhtë ekipin e Torinos në transfertë. Djemtë e Ançelotit fituan me rezultatin 1-3, ku Lorenco Insinje me një dygolësh dhe Simone Verdi ishin autorët e golave. I pavlerë goli i Andrea Belotit nga pika e penalltisë, që shërbeu vetëm për shkurtuar përkohësisht rezultatin.
Ndeshja nisi me një gol të shënuar që në minutën e katërt më Insinjen. Një top i mbetur në zonë u shfrytëzua nga sulmuesi, i cili me një gjuajtje potente hapi takimin. Napoli e kishte nisur me vrull dhe nuk e ndalit.
Në minutën e 20-të erdhi edhe goli i dytë i takimit. Kombinime të bukura mes Mertens dhe Verdit, me këtë të fundit që nuk fal dhe shënon. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të Napolit, ndërkohë që fraksioni i dytë i lojë nisi me gol.
Këtë herë ishte Torino që shënoi me anë të Belotit, i cili ktheu në gol penalltinë e fituar nga “demat” në limitet e zonës. Gjithsesi pas pak minutash ishte Kajehon që goditi shtyllën dhe topi i kthyer u shfrytëzua nga Insinje, i cili shënoi golin e tretë dhe të fundit të takimit.
Me këtë fitore Napoli barazon Juventusin në krye të tabelës, në kuotën e 12-të pikëve, por bardhezinjtë kanë për të luajtur ndeshjen me Frozinonen, ndërsa Insinje barazon Defrelin e Sasuolos dhe Piatekun e Xhenoas në krye të renditjes së golashënuesve, ndërsa Torino mbetet në vendin e 13-të me pesë pikë.