VIDEO | Mijoshi ndal Uruguain, polemika për një penallti

Uruguai dhe Japoni dhuruan spektakël, por në fund nuk kishte fitues. Një ndeshje me mjaft ritëm ,që përfundoi me rezultatin 2-2. Kombëtarja aziatike e pa veten dy herë në avantazh, por amerikano-latinët u kundërpërgjigjen dhe barazuan në të dyja rastet.

Mijoshi ishte ai që ndëshkoi Uruguajin. Kur kishin kaluar 25 minuta lojë ai realizoi një gol mjaft të bukur, por vetëm pak minuta më pas u akordua një penallti. Një takë e ngritur ndaj Kavani, me ndihmën e VAR, u konsiderua e gabuar dhe për arbitrin kishim të bënim me 11-metërsh.

Luis Suarez nga pika e bardhë nuk gaboi dhe ndeshja u barazua në 1-1. Më pas ishte radha e Kavanit për të drithëruar Japoninë, teksa goditi fort nga jashtë zone dhe vetëm traversa e ndali. Gjithsesi në pjesën e parë nuk pati më gol dhe lojtarët iu drejtuan dhomave të zhveshjes.

Dhjetë minuta pasi nisi e dyta, ishte Kavani ai që kishte mundësinë më të mirë për të shënuar. Sulmuesi tentoi një parabolë përballë portierit, por pa sukses. Mijoshi në të 59’ shfrytëzoi një top të lënë në zonë nga Muslera dhe pranë portës nuk mund të gabonte. Japonia sërish në epërsi.

Barazimi nuk do të vononte, me Himenez që shfrytëzoi një kros nga këndi dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Uruguai u hodh në sulm për të shënuar edhe golin e tretë dhe të fitores, madje rastet i pari, por nuk ia doli dot. Kështu dy skuadrat ndanë nga një pikë dhe mendojnë për ndeshjet e fundit në grup.

COPA AMERICA – GRUPI C
Uruguaj-Japoni 2-2
Shënues:
Suarez 32’ (pen.), Himenez 66’ / Mijoshi 25’, 59’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *