Më në fund Valencia ka gjetur fitoren e parë në kampionat. Djemtë e Marselinos mposhtën Real Sociedad në transfertë me rezultatin 0-1. Kevin Gameiro, i ardhur gjatë merkatos së verës nga Atletiko Madrid, shënoi golin e parë me Valencian, që i dha tre pikët e para në këtë sezon ekipit.
Sulmuesi shënoi në minutën e 36-të, pas një pasimi të bukur të Çerishev, duke mposhtur portierin Moja. Vendasit kishin mundësinë të barazonin rezultatin në minutën e 67-të të pjesës së dytë, por humbën një penallti.
Uillian Hoze dështoi të shënonte nga pika e bardhë dhe gjuajtja e sulmuesit brazilian u prit nga bashkëpatrioti i tij Neto. Ndeshja nuk pati më gola dhe gjithçka përfundoi me fitoren e miqve.
Valencia ngjitet në kuotën e tetë pikëve pas javës së shtatë, në kuotë të barabartë më Sociedadin, që pëson humbjen e dytë në shtëpi pas asaj kundër Barcelonës.
Real Sociedad – Valencia 0-1
(Gameiro 36′)