Është mbyllur ndeshja e fundit e javës së tetë të Kategorisë Superiore mes Kukësit dhe Partizanit. Demat arrijnë të marrin pikë të plota ndaj verilindorëve duke triumfuar minimalisht me rezultatin 0-1, me golin e Esat Malës në fraksionin e parë.
Kukësi bën hapin e dytë fals radhazi, ndërsa Partizani e çon në shatë numrin e ndeshjeve pa humbje dhe pa pësuar gol për më tepër. “Demat” gëzojnë jo vetëm suksesin në ndeshje e sotme, por dhe marrjen e vendit të parë, tashmë në kuotën e 19 pikëve.
Ndeshja nisi mirë për Kukësin, i cili dha sinjale që në sekondat e para duket ngacmuar në portën e Hoxhës, por pa rezultat. Me kalimin e minutave kryeqytetasit nisën që të reagonin dhe të rrezikonin më shumë. Sapo ishin mbushur 20 minuta lojë një aksion mjaft i bukur i miqve u finalizua siç duhet nga Esat Mala, i cili rezulton deçiziv dhe një herë tjetër për skuadrën e tij në një tjetër takim të madh, pas derbit me Tiranën.
Asani ftoi Bardhin në gjysmëfushën e Kukësit, me sulmuesin që me një qetësi për t’u admiruar dha një pasim fantastik për Malën, i cili doli i vetëm me Frashërin. I mjaftoi një prekje e lehtë mesfushorit që të mposhte Kukësin, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Ndeshja ishte më e ekuilibruar, me skuadrat që luanin futboll të hapur dhe krijuan volum loje. Fraksioni i parë përfundoi me një pretendim të kuksianëve për një prekje të topit me dorë, por nuk ishin të këtij mendimi gjyqatrët.
Në fraksionin dytë Cungu nisi që të freskonte mesfushën dhe të shtonte forcën sulmuese dhe diçka e tillë u reflektua në lojë, por jo në rezultat. Kuksianët nisën të rrezikonin më shumë, por pa mundur që të gjenin rrugën e rrjetës. Disa tentativa të njëpasnjëshme nuk sollën rezultat për skuadrën e Cungut, ndërsa “demat” në krahun tjetër ishin mjaft të rrezikshëm me zbritjet e tyre të befasishme.
Një tentativë me kokë e Shpehar ishte rreziku më i madh i portës së Partizanit, por Hoxha u tregua vigjilent dhe neutralizoi rrezikun. Në fund Kukësi pëson humbjen e dytë radhazi, por për më tepër sheh Partizanin që t’i arratiset në vendin e parë me plot 19 pikë. Verilindorët mbeten në kuotën e 13 pikëve.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 8
E hënë, më 8 tetor, ora 13:45
Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan
Kukësi 0-1 Partizani
Shënues: Mala 20′
GOLI
20’ – Mala del i vetëm me Frashërin pas një pasimi fantastik të Bardhit, mesfushori qetësisht çon topin në fundin e rrjetës.
Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Uilliam, Ethemi, Dzaria (Limaj 46′), Shkodra, Shafik (Shpehar 71′), Kalaja (Çyrbja 60′), Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Krasniqi, Qaqi, Zguro.
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Asani, Bardhi (Hebaj 70′), Mala (Çinari 74′), Mensah (Kote 58′). Trajner: Skënder Gega. Të gatshëm: Xhika, Gojkoviç, Kalari, So Hyon.
Kartonë të verdhë: Dzaria 30′, Shameti 53′, Limaj 81′ / Asani 16‘, Hebaj 90′
Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Rejdi Avdo, Nertil Bregasi, Rudin Preca . Gjyqtarë linje:Emirion Sino, Klajdi Kola .
Delegat: Millan Baçi; Vëzhgues: Sazan Velçani.
KOMENTI
73’ – Mala bën gjithçka mirë nga e majta dhe shërben për Hilën, i cili nguron të godasë dhe gabon
70’ – Rexhinaldo provon të befasojë me një rrotullim në dalje të zonës, por topi nuk ka as forcën dhe as saktësinë e duhur.
69′ – Ethemi godet pas një harkimi nga këndi, topi devijohet nga belica dhe shkon sërish në këndore.
67’ – Çyrbja harkon mjaft bukur nga e djathta, Shafik provon me kokë, por topi shkon ngjitur me shtyllën.
58’ – Aksion fantastik i Kukësit, Ethemi fton Maliqin nga e djathta, me shkupjanin që harkon. Rexhinaldo provon, por në rastin e parë ndalet nga një prej mbrojtësve miq, por sulmuesi nuk heq dorë dhe fton Kalanë këtë herë, i cili gabon në goditjen e tij
40‘ – Kundërzbritje e shpejtë e “demave”. Mensah fton Malën që godet, por Frashëri këtë herë i sigurt ndal topin.
39’ – Pas një harkimi nga e djathta, Atanda devijon me dorë, por për gjyqtarët nuk ka faull edhe pse pretendojnë kuksianët për një 11-metërsh.
28’ – Pas një harkimi nga një goditje dënimi për Partizanin, topi nuk arrihet nga askush, Asani në krahun tjetër kërkon që të rrezikojë duke tentuar portën, por Frashëri neutralizon rrezikun.
27’ – Hila tenton nga distanca, por topi ndalet nga një prej lojtarëve të Kukësit.
13′ – Pas harkimit të Shafik, Rexhinaldo provon me kokë nga e majta, por nuk arrin të gjejë dot kuadratin e portës.
10’ – Pas një harkimi nga këndi, nevojitet ndërhyrja e Frashërit për të larguar rrezikun.
Tifozët e Partizanit bëjnë që skuadra e dyte të ndihet si në shtëpi ,pasi janë në një numër të konsiderueshëm edhe pse luhet në një orar të papërshtatshëm dhe në fillim jave.
1′ – Rexhinaldo jep një pasim fantastik për kalanë, por shkodrani nuk mundet që të kalojë Alban Hoxhën, duke shpërdoruar një mundësi mjaft të mirë që në start.