Shumëkush mund ta kritikojë se ka trajnuar dhe fituar me Barcelonën më të fortë të historisë, me një ekip që fitonte dhe pa trajner. E njëjta gjë dhe te Bajerni i Mynihut, pavarësisht se eksperienca gjermane nuk ishte dhe aq pozitive. Fitimi i Bundesligës nuk hyn te detyrat e vështira për Bajernin, ndërsa te Mançester Siti po i shkon gjithçka perfekt.
Flasim për Pep Guardiolën një nga trajnerët më të mirë në botë. Revolucionar dhe i fiksuar pas lojës sulmuese. Stili i tij “tiki-taka” është tmerrësisht i vështirë për t’u përballuar nga ekipet dhe tifozët kundërshtarë, ndonjëherë dhe i mërzitshëm, por spanjolli është origjinal dhe vazhdon të insistojë në futbollin e stilit të tij: ofensiv dhe dominues.
Pasi fitoi Premier Ligën në sezonin e kaluar, duke dërguar Mançester Sitin në kuotën e 100 pikëve, djemtë e Guardiolës po bëjnë të njëjtën gjë dhe sivjet, pavarësisht se Liverpuli dhe Çelsi e ndjekin nga afër.
Në ndeshjen e fundit “qytetarët” mposhtën Mançester Junajtid me rezultatin 3-1, duke fituar derbin dhe bërë krenarë tifozët e tyre. Goli që vulosi fitoren u shënua nga Ilkai Gyndogan katër minuta përpara fundit.
Një aksion model dhe gati i pabesueshëm. 44 pasime të lojtarëve të Guardiolës për të mbërritur te rrjeta e mesfushorit. Për më shumë shihni pamjet dhe shijojeni dhe njëherë perlën e Mançester Sitit.