Kukësi ka marrë një fitore të rëndësishme 0-2 në transfertën e “Selman Stermasit” kundër Tiranës. Ka mjaftuar një dygolësh nga Vasil Shkurtaj që verilindorët të dalin me pikë të plota nga kjo sfidë.
Të besuarit e Ernest Gjokës u treguan shumë cinikë, duke mbrojtur me fanatizëm dhe duke shfrytëzuar në maksimum rastet e krijuara. Tirana pati më shumë mundësi të pastra për të shënuar. Ishte Hasani ai që kishte rastin ideal për të shënuar kur ndeshja ishte 0-0, por mesfushori bardheblu tregohet i pasaktë nga një distancë shumë e afërt dhe me portën thuajse të boshatisur.
Në minutën e 33’, Shkurtaj shënoi golin e parë personal në këtë takim, duke përfituar mjaft mirë nga një pasim i Ethemit. Edhe pas disavatazhit, të besuarit e Memës nuk u dorëzuan dhe krijuan shumë raste.
Megjithatë, rastin më flagrant e pati Rexhinaldo, i cili i vetëm përballë Abibit në minutat e fundit të kohës shtesë, nuk arriti të shënojë. Në këtë takim, u akorduan plot 7 minuta shtesë dhe në minutën e katërt shtesë, Shkurtaj shënoi sërish, duke vendosur rezultatin final 0-2.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 30
E shtunë, më 20 prill 2019, ora 19:00
TIRANA-KUKËSI 0-2
Shkurtaj 34′, 90+4′
Tirana: Abibi, Doka, Goxha, Imami, Hoxhallari, Karabeci, Mauexhe (Daja 65′), Hasani (Muci 78′), Oduamadi, Kobina (Greca 69′), Ngo. Trajner: Ardian Mema
Kukësi: Frashëri, Uilliam, Teqja, Cuculi, Rrumbullaku, Ethemi (Joti 88′), Limaj, Rroca (Musolli 70′), Çyrbja (Xhemaili 78′), Rexhinaldo, Shkurtaj. Trajner: Ernest Gjoka
Kartonë të verdhë: Ngo 47’, Kobina 62’
EPISODET –
90+’ – Mbyllet takimi në “Selman Stermasi”.
90+4’ – Goool Kukësi. Një pasi perfekt nga Joti me thmebër shfytëzohet mjaft mirë nga Shkurtaj, që godet me një diagonale të pakapshme për Abibin. Kukësi siguron fitoren, ndërsa Tirana dorëzohet
77’ – Dëmtim i rëndë për Arbër Çyrbjan. Numri 7 i Kukësit largohet me barelë nga fusha e lojës. Në vend të tij, trajneri Gjoka aktivizon Xhemailin
69’ – Oduamadi përpiqet të jetë i rrezikshëm nga krahu i majtë i sulmit, por Kukësi mbron me forca të shumta. Mema aktivizon dhe Grecën në fushën e lojës
51’ – Pjesa e dytë nis e vrullshme dhe me faulle të ashpra, Çyrbja merr një goditje nga Hoxhallari
45’ – Mbyllet pjesa e parë në “Selman Stermasi”. Tirana pati një shans të artë për të kaluar në avantazh, por është Kukësi falë golit të Shkurtajt që shkon në dhomat e zhveshjes në epërsi
34’ – Goool Kukësi. Vetëm katër minuta pas shansit të artë të Hasanit, verilindorët ndëshkojnë. Shkurtaj përfiton mjaft mirë nga një asist perfekt i Et’hemit dhe me portën e boshatisur, nuk e ka të vështirë të shënojë
30’ – E pabesueshme çfarë humbet Hasani. Ngo shërben shumë mirë brenda zonës për mesfushorin bardheblu, i cili nga një distancë e afërt e çon topin jashtë.
27’ – Vjen më në fund goditja e parë në kuadrat. Rrumbullaku kroson mirë nga krahu i majtë dhe Rexhinaldo është i pamarkuar në qendër të zonës, megjithatë goditja e tij me kokë shkon e lehtë në duart e Abibit.
20′ – Ndeshje shumë e qetë në “Selman Stermasi”. Tirana dhe Kukësi mbrohen mirë, Frashëri dhe Abibi spektatorë
10’ – Kalojnë 10 minutat e para, asnjë ngacmim në portat kundërshtare
1′ – Nis takimi