Teuta ka arritur që të marrë një fitore me shumë vlerë ndaj Luftëtarit, pasi suksesi 1-0 i çon “djemtë e detit” të vetëm në vendin e tretë me 25 pikë. Fati i takimit që u zhvillua në “Niko Dovana” u vendos nga Sherif Kallaku, vetëm pak sekonda pasi kishte nisur ndeshja.
Kapiteni Osmani ftoi mesfushorin pak metra jashtë zonës së Luftëtarit, me 20-vjeçarin që me të djathtën e tij u mposhti Ruçin. Goli i shpejtë lehtësoi gjithçka për Teutën që kishte luksin të luante pa presion dhe të priste momentin e radhës për të rrezikuar. Duhet veçuar paraqitja e mirë e dy portierëve, si Hidi ashtu dhe Ruçi që në disa raste shpëtuan portat respektive, edhe pse ekipet prodhuan lojë dhe raste. Progni, Latif dhe Kamara ishin rreziku kryesor për portën gjirokastrite, ndërsa në anën tjetër Rroca, Shkurtaj, por dhe Ymeraj provuan të ndëshkoni vendasit.
Në fraksionin e dytë Luftëtari donte që të mos dilte pa pikë nga ky takim, megjithatë duhet të kishte shumë kujdes nga daljet e shpejta të vendasve, të cilët kishin raste për të mbyllur ndeshjen. Në fund gëzon skuadra e Shkëmbit, që ndeshje pas ndeshje sheh tifozët që të jenë gjithnjë e më të shumtë në shkallët e stadiumit.
Ishte ndeshja e shtatë e bregdetarëve pa humbje, të cilët kanë marrë 17 nga 21 pikët e mundshme. Një ecuri fantastike e durrsakëve që vendin e parë e ka vetëm 6 pikë larg. Luftëtari në krahun tjetër mbetet në kuotën e 13 pikëve, duke u mundur pas dy ndeshjes pozitive. Skuadra e Mezanit prodhoi lojë, por nuk unk mjaftoi për të marrë qoftë dhe një pikë në këtë takim.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 14
E shtunë, më 24 nëntor, ora 17:00
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
TEUTA 1-0 LUFTËTARI
Shënues: Kallaku 2′
TEUTA: Hidi, Gjorgievski, Osmani, Shkalla, Beqja, Sidibe, Avdyli (Bicaj 61′), Kallaku (Traore 85′), Progni, Kamara, Latif (Hakaj 90+1′). Trajner: Bledi Shkëmbi. Të gatshëm: Celesti, Vila, Gashi, Vecaj.
LUFTËTARI: Ruçci, Rapa (Demo 71′), Hoxha, Janiçiç, Xhekson, Ramadani, Rapo (Dunga 61′), Rroca, Ymeraj (Aleksi 78′), Milosavljev, Shkurtaj. Trajner: Gentian Mezani. Të gatshëm: Shumeli, Liçaj, Kukaj, Açka.
Kartonë të verdhë: Beqja 15′, Sidibe 45’/ Rapo 21′, Rroca 22′
GJYQTARË: Olsi Sokoli, Nertil Bregasi, Redian Dobruna, Orlando Kuka
DELEGAT: Marjus Sulejmani; VËZHGUES: Astrit Dervishi
GOLI
2′ – Osmani fton Kallakun në dalje të zonës gjirokastrite, mesfushori godet mjaft bukur me të djathtën dhe kalon Teutën në avantazh.