Mançester Junajtid ia ka dalë të mposhtë Totenhemin në miqësoren e International Champions Cup. 2-1 triumfuan djemtë e Solskjaer me një gol të shënuar në minutën e fundit të ndeshjes nga 19-vjeçari Gomes.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 21-të. Pereira dhuroi një asist për Antoni Marsial, i cili goditi diagonalisht dhe përfitoi edhe nga një pasiguri e argjentinasit Gazaniga për të shënuar.
Pjesa e parë nuk dhuroi më gola. E dyta nisi më mirë për Spurs, të cilët barazuan në minutën e 65-të me anë të Lukas Moura. Braziliani veproi bukur në vijën e 16-të metrave, goditi drejt portës dhe u ndihmua nga një devijim për të gjetur barazimin.
“Djajtë e kuq” nuk e kishin thënë fjalën e fundit dhe e kishin ruajtur për në minutën e fundit. Angel Gomes kombinoi bukur me Huan Matën dhe shënoi një gol fantastik, duke i dhuruar fitoren ekipit të tij.