Një ndër surprizat më të mëdha të kualifikueseve të Champions League ishte eliminimi i kroatëve të Hajduk Split nga maltezët e Gzira Junajtid. Hajduk kishte fituar ndeshjen e parë në Maltë me rezultatin 2 – 0 dhe ndeshje e kthimit pritej të ishte thjesht një formalitet, pse jo një fitore me goleadë për të zbavitur tifozët e shumtë në stadium. Megjithatë, rezultoi krejt e kundërta.
Maltezët pësuan golin e parë që në minutën e 7’, por në të dytën ndodhi e pabesueshmja. Gzira shënoi plot tri gola dhe mbajti portën e vetë të paprekur. Protagonisti i ndeshjes ishte padyshim mesfushori nga Bregu i Filidishtë, Hamed Kone, i cili realizoi dy gola fantastik.
Fillimisht një gol i shkëlqyer akrobatik në minutën e 69’ për të çuar në rezultatin në 2 – 1, më pas në sekondat e fundit të takimit një goditje nga largësia shtangu kroatët që e panë veten të eliminuar nga një ekip me një buxhet shumë herë të më vogël.
Kone ishte pjesë e Feronikelit gjatë sezonit të shkuar. Afrikani u prezantua si një ndër afrimet më të bujshme të IPKO Superligës pasi u transferua nga Ksamaks, klub i Superligës zvicerane. Megjithatë, Kone nuk ia doli të përmbushte pritshmëritë në Kosovë duke u aktivizuar në pak raste me skuadrën nga Drenasi.