Nofkat janë pjesë e pandarë e kulturës së futbollit brazilian. Pjesa më e madhe e legjendave të pesë herë kampionëve të botës nuk kanë përdorur emrin ose një ndër mbiemrat e tyre, por në fanellë ka qenë e shkruar nofka e tyre.
Me siguri fansat më të flaktë të Milanit e njohin Rikardo Izekson dos Dos Santos Leiten (po është një person i vetëm ), bëhet fjalë për Kakanë.
Të tjerë mbështetës së kombëtares së “Seleçaos” mund të njohin se kush është Ronaldo Nazario Lima ose Ronaldo de Asis Moreira, dy yje që kanë fituar “Topin e Artë” gjatë dekadës së shkuar: Ronaldo dhe Ronaldinjo. Ndërsa s’mund të lëmë pa përmendur lojtarin më të veçantë të këtij kombi që i ka dhënë shumë futbollit: Edson Arantes do Nasimento i njohur nga të gjithë si “Pele”, madje ka dhe një nofkë të dytë:“O Rei” (Mbreti).
Kanali zyrtari i UEFA-s mendoi të krijonte një video interesante me rastin e përballjes së çerekfinales së Champions-it midis Mançester Sitit dhe Totenhemit. Gabriel Zhezuz i Sitit dhe Lukas Moura i Totenhemit u vunë përballë njeri-tjetrit në një ‘quiz’, ku u duhet të gjenin nofkat e lojtarëve të shquar brazilianë vetëm duke parë emrin e tyre. Interesant është fakti se të dy këta lojtarë në ndryshim nga shumica e bashkëkombësve luajnë me emrat e tyre të vërtetë.