Gerhard Progni ka qenë pjesë e Kukësit për dy sezone, duke dhënë një kontribut të vyer në sukseset e arritura në kampionat dhe në kupat e Europës. Madje goli i parë në Kupat e Europës i shënuar nga Kukësi mban firmën e sulmuesit anësor, që dje i shënoi një eurogol Stivi Frashërit.
Në dy sezone (2012-1024) te Kukësi në kampionat Progni pat shënuar 10 gola, ndërkohë që numëron 54 ndeshje me verilindorët. Që të gjitha i ka nisur nga minuta e parë. Largimi nga Kukësi te Skënderbeu u shoqërua me polemika në verën e vitit 2014.
Progni, që në sezonin e parë që iku arriti të “hakmerrej” ndaj Kukësit. Më 19 shtator të vitit 2014 i realizonte verilindorëve një eurogol në Korçë, ndërkohë që goli i radhës daton më 20 nëntor të vitit 2017. Ishte pjesë e Partizanit, që arriti të triumfonte në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Goli i fundit ishte ai i djeshme, një “eurogol” që vendosi baraspeshën në Teuta-Kukësi, që në fund u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të durrsakëve.