Didier Drogba vitin e kaluar u transferua në ligën e dytë amerikane për të luajtur me ekipin e Feniks Rajsing. Sulmuesi legjendë gjithashtu u fut në historinë e futbollit, si i pari futbollist, i cili edhe është pronar i ekipit edhe luan për atë ekip.
Aventura e tij me Feniks po shkon mjaft mirë, teksa ekipi amerikan luan për momentin në “play-off”, pasi e përfundoi kampionatin e rregullt në vendin e tretë. Mbrëmjen e kaluar ekipi i Drogba priste ekipin e dytë të Portland, në një sfidë të vlefshme për fazën e 1/8-ave. Takimi përfundoi me fitoren e pastër të Feniks, të cilët likuiduan miqtë nga Portland me tre gola.
Goli që hapi rrugën e suksesit për vendasit, ishte pikërisht i Didier Drogbasë, i cili me një goditje dënimi shënoi një supergol. Edhe pse tashmë është në moshën 40-vjeçare, lojtari nga Bregu i Fildishtë vazhdon të tregojë se pavarësisht moshës, klasi tek ai ngelet gjithmonë.