VIDEO | Çamëria fluturon në gjysmëfinale, Gjeçi e Hoxha shkatërrojnë Sapmin

Çamëria vijon të mahnisë në Armeni. Kombëtarja e re arrin një kualifikim historik në turneun që po zhvillohet nga CONIFA në Artsakh. Pas fitores spektakolare një ditë më parë ndaj vendasve të Artsakh, pasditen e sotme Çamëria ka arritur të shkatërrojë edhe Kombëtaren e Sapmit (vend i vogël skandinav) me shifrat 4-0.

Ndeshja nisi në mënyre perfekte, teksa pa u mbushur ende pesë minuta lojë, ishte Kevis Gjeçi, i cili i dha avantazhin të tijve. 22-vjeçari centroi mirë të majtën e tij, duke e çuar topin në cepin e portës me një goditje të bukur, me portierin kundërshtar që mbeti i palëvizur. Goli i dytë për Gjeçin ky, pas atij të shënuar në sfidën e djeshme.

Më pas në minutën e 22-të, Gjeçi ishte përsëri protagonist, me këtë të fundit që rikuperoi një top nga mbrojtësit e Sapmit dhe asistoi për Hoxhën, i cili bukur depërtoi në zonë për të mposhtur portierin dhe për të dyfishuar shifrat.

Më pas në fund të pjesës së parë Hoxha shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për çamët. Pas një pakujdesie të Sapmit në mbrojtje, sulmuesi rrëmbeu topin dhe i vetëm përballë portierit u tregua i saktë.

Ndërkohë, edhe në pjesën e dytë Çamëria nuk e uli ritmin dhe në minutën e 78-të gjeti dhe golin e katërt. Ishte Marko Van Basten Çema, i cili plotësoi pokerin e golave, pas një kombinimi të bukur me Gjokën.

Kështu, Çamëria kualifikohet si e vendi i dytë në grupin A dhe prek gjysmëfinalet, ku do të përballet me South Ossetian, i cili është një vend në jug të Rusisë dhe ëshët nën territorin e Gjeorgjisë, vend që nuk ia njeh pavarësinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *