VIDEO | Autogola për histori, Kukësi rinis “marshimin” në Kamzë

Kukësi rikthehet te fitorja duke mundur Kamzën në transfertë me rezultatin 2-0. Një ndeshje e pazakontë, kjo për faktin se ndeshja u vendos nga dy autogola, që u realizuan në më pak se tre minuta. Diçka e rrallë, pasi vështirë se dy autogola do jenë shënuar në kaq pak minuta. Fillimisht Erlis Frashëri dhe më pas Olsi Teqja çuan topin në fundin  rrjetës së skuadrës nga periferia e kryeqytetit, por në favor të kuksianëve.

Ashtu si pjesa më e madhe e ndeshjeve në vendin tonë, minuta e para ishin pa ritëm dhe munguan rastet konkrete në portat e të dyja skuadrave. Ndeshja nisi të “nxehet” me një moment të diskutueshëm. Harkimi i Plakut u ndal nga Cuculi. Vendasit protestuan fort për prekje të topit me dorë, por për gjyqtarin Indrit Myrtja gjithçka ishte e pastër dhe loja duhet të vazhdonte.

Nga ky moment gjërat duket se shkuan në favor të Kukësit, por me një “dorë” nga Kamza. Dy gola në 3 minuta, të dy të shënuar nga lojtarët vendas në portën e tyre, nuk e zbehën festën e verilindorëve, të cilët gëzuan në dy raste pa e çuar vetë topi nën rrjetë. Fillimisht ishte Ethemi që gjeti shtyllën, por më pas Frashëri, në tentativë për të larguar rrezikun nuk u mat mirë dhe e çoi topin pas krahëve të Kirev. Pak sekonda më vonë, Teqja kishte të njëjtin fat si Frashëri. Harkimi i Çyrbes bëri që mbrojtësi ta dërgonte topin në fundin e rrjetës së Kamzës për të dytën herë.

Pjesa e dytë kishte më pak ritëm, ndikuar dhe nga fakti se terreni u rëndua shumë dhe ishte paksa e vështirë për ekipet që të luanin me topin poshtë. Me qetësinë e rezultatit, Kukësi ishte më i lirë në veprimet sulmuese dhe disa herë tentoi që të shënonte dhe golin e tretë. Vetëm traversa i mohoi golin Donjet Shkodrës, i cili nga një goditje dënimi goditi mirë, por jo sa për të shënuar.

Ndeshje me grinë dhe me mjaft dyluftime të ashpra, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Nis me humbje aventura e Gjokës në krye të Kamzë, në një ndeshje që skuadra e tij bëri gjithçka në fushë, përfshirë këtu edhe gola, por pikët janë ato që vlejnë, që në fund i mori Kukësi.

Verilindorët shfrytëzojnë hapat e gabuar të Partizanit e Skënderbeut, duke u afruar me vendin e parë, tani vetëm 7 pikë larg. Kamza në anën tjetër “frikësohet” dhe nga Kastrioti, që është zgjuar dhe ndaj Laçit prodhoi një lojë fantastike, edhe pse nuk mori dot pikë.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 14
E diel, më 25 nëntor, ora 14:00
Stadiumi “Kamza”, Kamzë

KAMZA 0-2 KUKËSI
Shënues:
E. Frashëri 30′ (autogol), Teqja (autogol)

KAMZA: Kirev, Frashëri, Teqja, Beqiri, Idrizaj, Zisi (Mumajesi 59′), Arrabal, Mehmeti, Plaku, Fukui (Roloviç 69′), Martinena (Rezi 82′). Trajner: Ernest Gjoka. Të gatshëm: Bonani, Krasniqi, Peçi.
KUKËSI: Frashëri, Maliki, Qaqi, Krasniqi, Cuculi, Kordeiro, Ethemi, Shkodra, Dzaria, Çyrbja, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Shpehar, Limaj, Kalaja.
KARTONË TË VERDHË: Mehmeti 11′, Arrabal 18′, Teqja 20′
GJYQTARË: Indrit Myrtja, Melis Dervishi, Fisnik Thorja, Klajdi Kola.
DELEGAT: Besnik Çela; VËZHGUES: Plarent Kotherja.

RASTET

SHTYLLA E SHKODRËS | 70′ – Donjet Shkodra provon nga një goditje dënimi, por shtylla i mohon gëzimin e golit të parë sezonal.

GOLI I DYTË I KUKËSIT | 32’ – Pas harkimit të Çyrbes, këtë herë është Teqja që godet me kokë dhe shënon në portën e tij.

GOLI I PARË I KUKËSIT | 30’ – Ethemi godet me kokë, pas harkimit nga e djathta, topi përplaset në shtyllë dhe më pas shkon te Frashëri, i cili e shtyn topin në portën e tij.

PRETENDIMI I KAMZËS | 28’ – Plaku harko nga e djathta, por topi devijohet nga Cuculi. Protesta të shumta nga vendasit, por gjyqtari nuk akordon 11-metërsh, edhe pse është një rast mjaft i dyshimtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *