Arsenali ka arritur që të marrë një tjetër sukses, duke shënuar kështu fitoren e gjashtë radhazi në kampionat, por dhe të nëntën në të gjitha garat. ”Topçinjtë” triumfuan me përmbysje me rezultatin 3-1 ndaj Leisterit. Skuadra e Unai Emeri nuk e pati dhe aq të lehtë ndaj “dhelprave”, që arritën të kalonin në avantazh pak pasi ishte mbushur gjysmë ore lojë, nga një autogol i Bellerin.
Arsenali arriti që të barazonte që në fraksionin e parë, me anë të Ozil. Turko-gjermani finalizoi një aksion që vetë ai e nisi, duke vënë ekuilibrin dhe duke i çuar skuadrat në dhomat ne zhveshjes në barazim. Në pjesën e dytë gjithçka më pas foli për “topçinjtë” të cilët shënuan dhe dy herë të tjera.
Obamejang realizoi dy gola gati identikë dhe mjaft të lehtë, pasi duhej vetëm që të shtynte topin në rrjetë me portën e boshatisur. Arsenali vijon që të jetë në ndjekje të kryesuesve dhe po shkëlqen deri më tani me 21 pikë, vetëm 2 më pak se Siti dhe Liverpuli. “Dhelprat” në anën tjetër mbeten në kuotën e 12 pikëve.