Arsenali rikthehet te fitorja në kampionat pas tre barazimeve rresht. “Topçinjtë” triumfuan përballë Boremuthit në transfertë me rezultatin 1-2. Trepikësh i rëndësishëm për djemtë e Unai Emeri, të cilët ngjiten në vendin e pestë me 27 pikë.
Vendasit gjeten golin në minutën e 8, por Bruks ishte në pozicion jashtë lojë dhe goli u anulua. Sfida u zhbllokua në minutën e 30. Një top nga krahu i majtë i Arsenalit u devijua nga kolumbiani Lerma, i cili shënoi një autogol të çuditshëm në portën e tij.
Vendasit nuk u dorëzuan dhe arritën të gjenin golin e barazimit në minutat shtesë të pjesës së parë. Bruks dhuroi një top për King, me sulmuesin norvegjez që shënoi një gol të bukur me të majtën.
Pjesa e dytë ishte e luftuar, por golin e fitores e gjeti Arsenali. Kundërsulm i shpejtë i miqve në minutën e 67, ndërsa Kolashinaç pasoi bukur në zonë për Abumejang, me këtë të fundit që nuk e pati të vështirë të shtynte topin në rrjetë.
Takimi nuk prodhoi më gola, ndërsa Unai Emeri i gëzohet kësaj fitore, Diferenca me Sitin kryesues është 8 pikë, ndërsa zona Champions është vetëm një pikë larg. Humbja e tretë rresht për Boremuthin, por ekipi i Edi Houe vazhdon të renditet në mesin e tabelës, konkretisht në vendin e tetë.
Boremuth-Arsenal 1-2
(King 45+1’ / Lerma (aut) 30’, Abumejang 67’)