Arturo Vidal tek Interi është tashmë çështje orësh, e shumë ditësh. Bajerni dhe Interi janë duke biseduar për të përfunduar sa më shpejt operacionin e merkatos, pasi Spaleti kërkon mesfushorin që do të kompletonte ekipin, ndërsa Bajerni kërkon të largojë një futbollist shumë cilësor, por problematik në sjellje, përveçse tashmë jo në moshë fort të re.
Sipas Gazzetta dello Sport, Bajerni ka pranuar ofertën e Interit për huazim me të drejtë blerjeje, për një shifër totale që vërtitet tek 20 milionë eurot. Megjithatë, së pari Vidal duhet të shtyjë një vit kontratën, që i skadon në verën e vitit 2019 dhe Bajerni nuk dëshiron ta humbasë falas. Interi i ofron kontratë 3-vjeçare, me 4.5 milionë euro në vit, duke i dhënë premtimin që do ta blejë përfundimisht verën e ardhshme, një manovër për të mos shkelur rregulloren e Fair-Play financiar këtë verë.
TRAJNERI I KILIT – Në lidhje me të ardhmen e Vidalit ka folur edhe një person që e njeh mirë, trajneri i Kilit Reinaldo Rueda. Kolumbiani, duke folur për radion kiliane CDF, e ka bërë të kryer largimin e Vidalit nga Mynihu: “Unë e Arturo kemi biseduar gjatë, lamtumira e tij nga Bajerni është çështje orësh, shumta ditësh. Besoj se është zgjidhja më e mirë për të gjithë dhe shpresoj që e ardhmja t’i rezervojë më të mirën e mundshme. Shpresoj që Arturo të nisë të luajë sa më shpejt, për të kapur ritmin e duhur. Do të jetë protagonist kudo që të shkojë, e dimë të gjithë”.