Interi zhvilloi një ndeshje pozitive në derbi dhe fitoi me rezultatin 3-2. Kuqezinjtë e Gatuzos mund të kishin barazuar në fund dhe do e meritonin pikën, por zikaltrit treguan forcë të madhe në ndeshjen e përjetshme.
Matias Vesino zhbllokoi ndeshjen me golin e tij të shpejtë. Uruguaiani shënoi në minutën e tretë, luftoi fort në mesfushë dhe në fund festoi gjatë me shokët e tifozët. 27-vjeçari vlerëson paraqitjen e ekipit, zbulon pozicionin ndryshe në fushë dhe shpreson që të shohë gjithmonë Interin e derbit.
“Ky duhet të jetë Interi i vërtetë. Kemi patur shumë oshilacione deri në këtë moment. U treguam të aftë për të harruar eliminimin nga Ajntrahti dhe e nisëm gjithçka nga zero, siç u pa nga fillimi i ndeshjes e deri në fund.
Duhet të tregohemi pak më të vëmendshëm në goditjet standarde, sepse jemi të gjithë shumë të mirë me kokë. Treguam që në fillim të ndeshjes forcën tonë, që përcaktoi dhe fitimin e ndeshjes.
Në derbi luajta pak më i avancuar dhe mendoj se shkoi mirë. Ju shkaktuam disa probleme pas shpine mesfushorëve te Milanit. Tani do pushojmë dhe ndonjëherë nevojitet diçka e tillë. Ndalimi i kampionatit vjen në momentin e duhur, edhe pse disa lojtarë do të largohen drejt kombëtareve të tyre“, përfundon Matias Vesino.