Huan Sebastian Veron ka qenë një ndër mesfushorët më të mirë në botë në vitet 2000. Argjentinasi është aktivizuar me ekipet si Parma, Lacio, Inter, Mançester Junajtid dhe Çelsi, ndërsa tashmë mban postin e presidentit të Estudiantes.
43-vjeçari ka folur për “Radio CRC”, ku thur elozhe për trajnerin Mauricio Sarri. Italiani zhvilloi një futboll të bukur me Napolin dhe po bën të njëjtën gjë me Çelsin, madje stili i tij po përflitet dhe në Argjentinë.
“Kam ndjekur lojën e zhvilluar me Napolin dhe mund të themi që Sarri ka ndryshuar mënyrën e të luajturit futboll në Itali. Futbolli italian ka qenë gjithmonë i lidhur me traditën e tij dhe ndryshimi ka ndodhur vonë. Për mua, trajnerët si Sarri kanë shkundur futbollin, madje dhe në Argjentinë njerëzit flasin për mënyrën se si ka luajtur Napoli dhe mënyrën se si po luan Çelsi”, përfundon ish-mesfushori i famshëm.