Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, do të ketë të gatshëm për takimin e fundjavës ndaj Kukësit dhe sulmuesin Grent Halili. 20-vjeçari ishte një ndër protagonistët e takimit të kthimit në ndeshjen e Kupës ndaj Flamurtarit ku u ndëshkua më të kuqe nga arbitri Laver Alla.
Lojtari i bardhebluve kreu një gjest antisportiv ndaj brazilianit të Flamurtarit Elton Kale, çka detyroi gjyqtarin e takimit për t’i treguar kartonin e kuq. Normalisht pritej që Komisioni i Disiplinës ta dënonte lojtarin me të paktën dy ndeshje pezullim, por kjo gjë nuk ka ndodhur.
Halili do të mungojë vetëm në takimin e parë të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, ndërsa të dielën sulmuesi pritet të jetë në formacion titullar të Tiranës, siç ka qenë gjatë shumicës së takimeve të fundit.