Ish-futbollisti dhe trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, ka komentuar gjendjen e klubit të zemrës në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”. Vata tregohet pesimist mbi sezonin e ardhshëm të Vllaznisë në Superiore, duke rreshtuar një mori problematikash te klubi shkodran.
“Vllaznia mbetet peng i politikës. Politika e keqe bën klubin e keq. Politika e ka në kthetrat e veta e nuk e lëshon për interesat e veta. Talentet të rinj po ikin vit pas viti nga akademia në drejtim të klubeve të tjera”.
“Ata drejtuesit e tanishëm po ndërtojnë një klub shumë të vogël. Mendoj se do kenë probleme të qëndrojnë në Superiore. Janë shumë mbrapa me merkato, ndërsa nuk e kuptoj as zgjedhjen e trajnerit. Se kuptoj se si ka ardhur te Vllaznia. Si mund të marrësh një trajner të huaj kur nuk ke asnjë garanci pasurore”.
“Dëgjojmë këtë kryetarin e ri të bashkisë, ose më mirë të them atë që mendon se do të jetë kryetari i ri që thotë mos firmoni asgjë, ndërkohë kryetarja e vjetër vazhdon akoma, drejtori Suad Lici nuk e di me çfarë fondesh punon”, tha Vata.