Luis Van Gal është i drejtpërdrejtë. Trajneri holandez, i cili u pasua nga Zhoze Murinjo te Mançester Junajtid, ka dhënë një intervistë të gjatë për BBC, ndërkohë që komenton loja që bëjnë aktualisht “Djajtë e kuq”. Ish-trajneri thekson se anglezët edhe mund ta fitojnë Ligën e Kampioneve, por nuk beson se ky futboll që bën skuadra tani është emocionues.
LOJA E JUNAJTID – “Ndryshimi kryesor mes Murinjos dhe Solskjaer është se ky i fundit po fiton. Është gjithashtu e vërtetë që i ka ndryshuar pozicionin francezit Pol Pogba, duke e futur në një zonë ku ai është më i rëndësishëm për ekipin. Gjithsesi, mënyra se si Junajtid po luan nuk është sikurse mënyra e lojës së Ferguson. Është futboll mbrojtës, futboll me kundërsulme. Nëse ju pëlqen, ju pëlqen.
Nëse mendoni se është më emocionuese se sulmi im i mërzitshëm, OK. Ata mund të fitojnë Ligën e Kampionëve, sepse luajnë me një sistem mbrojtës dhe është e vështirë t’i mundësh. Por kjo gjë, ju pëlqen apo jo, është rezultat i punës së bërë nga Murinjo”, thotë Van Gal.
PROBLEMI I KLUBIT – Van Gaal mendon se Junajtid ka ende probleme themelore në kupolën drejtuese të klubit dhe beson se zëvendëspresidenti Ed Uduord duhet të punësojë një drejtor teknik me eksperiencë në futboll. “Në këtë moment ekziston një strukturë me një divizion për zbulimin e talenteve dhe në krye të saj është krahu i djathtë i Uduord. Struktura nuk është shumë e keqe, por krahu i djathtë duhet të jetë një drejtor teknik me pikëpamje futbolli, jo një bankier. Për fat të keq, kemi të bëjmë me një klub komercial, jo klub futbolli. Kam folur me Ferguson për këtë dhe në vitet e fundit të tij tek Junajtid edhe ai e kishte kundërshtuar diçka të tillë”, deklaron tekniku holandez.
TË RINJTË – Van Gal, gjatë intervistës tregon se shumë prej lojtarëve të rinj bënë debutimin e tyre me Mançesterin gjatë kohës që ai ishte në krye të ekipit: “Shumë trajnerë, si Murinjo, kurrë nuk u japin një shans të rinjve. Pesë minuta, 10 minuta nuk janë një shans. Një shans është një ndeshje deri në fund. Nëse nuk jeni i gatshëm të besoni te lojtarët e rinj, ju nuk jeni i përshtatshëm të jeni trajner i një klubi që u kushton rëndësi të rinjve. Përvoja e madhe nuk është e mirë. Atëherë ju keni një pilot automatik nën urdhra. Ju gjithmonë keni nevojë për imagjinatë dhe nuk duhet harruar sa frymëzues mund të jenë lojtarët e rinj”.
ARGJENTINASI – Holandezi është shigjetuar nga sulmuesi anësor i PSG-së, ndërkohë që Van Gal sqaron gjithçka: “DI Maria thotë që isha problemi i tij, por e aktivizova atë në çdo pozicion të sulmit. Mund ta kontrolloni këtë. Ai kurrë nuk më bindi në asnjë nga ato pozicione ku e vendosa. Ai nuk mund të përballojë dot presionin e vazhdueshëm te topi në Premier League, ky ishte problemi i tij”.
EKIPI MË I MIRË – Barcelona ka Lionel Mesin dhe shumë lojtarë të mëdhenj, ndërkohë që pas fitoreve me Realin e Madridit shumëkush mendon se janë ekipi më i fortë. Van Gal ka opinion tjetër. “Njerëzit mendojnë se Barcelona është ekipi më i mirë, por jo. Mançester Siti dhe Liverpuli janë më shumë ekip se Barcelona. Liverpuli madje është më shumë ekip se Siti”, shtoi holandezi.
ÇËSHTJA E TITULLIT – Tekniku ka bërë një koment edhe në lidhje me skuadrën pretendente për të fituar titullin kampion në Angli: “Në filozofinë time, ekipi më i mirë do ta fitojë titullin kampion. Shpresoj ta fitojë Siti, sepse ata luajnë futbollin më të mirë në Premier League”.