Liverpuli triumfoi një natë më parë në “finalen” e luajtur ndaj Napolit, ku Mohamed Salah ishte heroi i “The Reds”. Egjiptiani shënoi golin e vetëm të sfidës, duke i dhënë kualifikimin për në fazën tjetër ekipit të Jurgen Klop.
Gjithsesi, pavarësisht fitores së Liverpul, ndeshja ishte mjaft e luftuar dhe një nga episodet që akoma po diskutohet është rasti i ndërhyrjes së Van Dijk ndaj Mertens. Pikërisht në lidhje me episodin, ka folur vetë mbrojtësi i të kuqve, duke theksuar se ndërhyrja e tij nuk kishte asnjë qëllim për të vrarë kundërshtarin dhe nuk ishte për karton të kuq.
“Nuk mendoj se ishte ndërhyrje aq e keqe. Për fat të keq e preka, por kurrë nuk do ndërhyja për ta vrarë ose ndonjë gjë të tillë. Preka topin dhe ngaqë fusha ishte e lagur, në momentin që rrëshkita e preka, por ky është futbolli”, përfundoi Van Dijk.