Ukraina i është bashkuar listës së kombëtareve që kanë natyralizuar lojtarë të huaj dhe javën e shkuar i dha nënshtetësi ukrainase sulmuesit brazilian Zhunior Moraesh. Bëhet fjalë për një sulmues që në Ukrainë ka vite që shkëlqen dhe Ukraina ka probleme të mëdha në sulmin e kombëtares, ndaj edhe pse 31 vjeç, braziliani është i nevojshëm për Andrej Shevçenkon.
Trajneri ukrainas e ka hedhur në fushë sulmuesin në dy ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2020, kundër Portugalisë e Luksemburgut, ku ka marrë 4 pikë të çmuara, por tashmë një “shashkë” rrezikon të prishë gjithçka.
“Maisfutebol” raporton se sulmuesi nuk ka përmbushur kriteret e FIFA-s për të marrë nënshtetësi ukrainase”. FIFA thotë se një lojtar duhet të jetojë për 5 vite rresht në një shtet për të marrë pasaportë të atij vendi, kur është maxhoren, ndërkohë që Moraesh ka luajtur nga 2012 deri në 2017 në Ukrainë, por u largua për pak kohë për në Kinë, pa mbushur 5 vite në vendin lindor.
Federata e Luksemburgut ka hapur internetin dhe ka vendosur ta çojë çështjen në FIFA: Nëse Moraesh është larguar nga Ukraina pa mbushur 5 vite aty dhe është kthyer 4 muaj më vonë, a nuk është shkelje?
Ukraina është kundërpërgjigjur duke thënë se sipas ligjeve në Ukrainë, të jetosh një vit rresht aty konsiderohet të jetosh 183 ditë në harkun e një viti kalendarik. Duke llogaritur kohën e qëndrimit të Moraes në Ukrainë, del që në bazë të ligjit vendas ai ka jetuar më shumë se 200 ditë në vit dhe për pasojë është në rregull me FIFA-n, që për bazë merr legjislacionin e vendeve përkatëse. Të shohim kush ka të drejtë…