Partizani barazoi pa gola në ndeshjen e parë me Karabak, ndërkohë që në kampin e kuq theksojnë se kanë bërë një ndeshje të mirë. Vetë trajneri Franko Lerda u shpreh se kishin bërë gjithçka në perfeksion, ashtu siç e kishin përgatitur. Për mediat azere së fundmi ka folur edhe braziliani Uilliam Kordeiro.
“Ndeshja e parë ishte shumë e vështirë, por brenda pritshmërive. Kjo për shkak të rivalit që kishim përballë. Loja na ka kënaqur, në disa momente e shfaqëm atë që ne dëshironim. Kush ishte i pafat? Raste pati nga të dyja krahët. Le të presim edhe ndeshjen e kthimit dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne besojmë te vetja dhe po përgatitemi dhe ndeshjen në Baku”, shprehet anësori, i cili u pa të luante në qendër të mesfushës.
“Barazimi rezultat i mirë? Sigurisht që fitorja është rezultati më i mirë. Ne i patëm shanset tona. Nuk finalizuam dot dhe tani ndeshje e parë ka mbaruar dhe duhet të fokusohemi tek e kthimit. Karabaku është një ekip shumë i mirë. Në përbërje kanë lojtarë me cilësi shumë të mira individuale. Personalisht e njihja ekipin, pasi jam përballur me ta një vit më parë kur isha pjesë e Kukësit. Mund të themi që Karabaku u paraqit ashtu sikurse ne e prisnim”, shton Kordeiro për “azerisport”.
Në lidhje me kualifikimin, ai deklaron: “Tani kemi vetëm një gjë në mendje: të shfaqim një futboll të bukur në Baku dhe të marrim një rezultat pozitiv. Ne besojmë shumë se mund ta bëjmë diçka të tillë. Nuk na shqetëson opinioni i përgjithshëm se Karabaku do të kalojë në turin e dytë. Do të luftojmë në Baku deri në fund. Sikurse e thashë edhe më parë, kemi bërë një ndeshje të parë të mirë. Tani po përgatitemi për ndeshjen tjetër dhe besoj se mund të marrim rezultatin që dëshirojmë. Po stërvitemi për këtë”.