222 milionë euro, një çmenduri: PSG habit botën e futbollit dhe tregon se tashmë kemi hyrë në një epokë të re, ku rekordet e Bejlit dhe Pogbasë të bëjnë të qeshësh.
Shifra të frikshme, që bëjnë revolucion në futboll dhe natyrisht UEFA nuk mund të mos shqetësohet, kur sheh disa klube që zotërojnë botën dhe gjithë të tjerët që nuk u shkon mendja t’i rivalizojnë në aspektin financiar.
Megjithatë UEFA e ka seriozisht për respektimin e Fair Play financiar dhe tashmë paralajmëron PSG-në, me një deklaratë zyrtare ku i kërkon të zerojë bilancin.
“Po monitorojmë gjithçka, kjo lëvizje do të ndikojë jashtëzakonisht në buxhetin e klubit për shumë vite. Fair Play financiar paradhikon humbje deri në 30 milionë euro në vit, ndaj PSG e ka të qartë që duhet të rregullojë gjithçka. Llogaritë bëhen në fund, le të presim, ndoshta PSG shet disa lojtarë dhe mbulon shpenzimin për Nejmarin”.
Thelbi: PSG do të detyrohet të shesë emra si Verrati, Pastore e disa të tjerë, për të mos u përjashtuar nga kupat e Europés.