Kampionët zyrtarizojnë agjendën për transfertë moldave. Udhëtim pa shumë shpenzime, por komod dhe më pak i lodhshëm
Siç është bërë e ditur prej kohësh, Kukësi do të udhëtojë direkt nga Austria drejt Moldavisë. Përveç faktit se në Austri kushtet për përgatitje janë shumë herë më të mira se në Shqipëri, kampionët menduan që të kursejnë dhe kilometrat pa fund që përkthehen në lodhje shumë të madhe. Skuadra pritet që të udhëtojë me datën 11 korrik, me një linjë direkte nga Austria. Fakti që një linjë e tillë ka qenë direkte, i ka shtyrë drejtuesit e Kukësit që të mos prenotojnë një avion çarter. Ndryshimi i vetëm do të jetë që lojtarët dhe stafi do të kenë dhe bashkudhëtarë të tjerë. Presidenti Gjici mësohet se do të bashkohet me skuadrën para nisjes për Moldavi. Udhëtimi pritet të zgjatë afro 5 orë dhe pas disa orëve pushim, do të zbresin në fushën e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja për të kryer seancën e fundit stërvitore.
Nga ky udhëtim direkt nga Austria në Moldavi të vetmit që privohen janë tifozët e Kukësit. Politika e klubit të Kukësit në të shkuarën ka qenë rezervimi i vendeve në avion për tifozët që kishin dëshirë që të ndiqnin skuadrën e tyre të zemrës. Edhe pse kësaj radhe nuk është mundësuar ky komoditet, pritet që një numër i vogël tifozësh të jenë prezent në stadiumin e Sherifit.