Rinovimi i Mauro Ikardit me Interin akoma nuk po ndodh, por kjo mund të jetë java vendimtare. Agjentja dhe njëkohësisht gruaja e sulmuesit, Uanda Nara është rikthyer të flasë për këtë temë duke gëzuar tifozët e Interit.
Ajo beson se firma mbi kontratën e re do të vijë brenda kësaj jave, ndërsa jep mesazhe të shumëfishta në prononcimin e dhënë për “Tiki Taka”.
“Ikardi nuk u furnizua shumë me topa kundër Sasuolos, por kjo mund të ndodhë. Flitet sikur është gjithmonë ai fajtori, por tashmë është mësuar me një gjë të tillë, pasi është kapiteni. Zërat e rinovimit nuk e shpërqendrojnë, pasi një kampion si ai nuk e ndjen presionin. Ai di të tregohet i ftohtë dhe këto gjëra nuk e shqetësojnë. Si Mauro si unë nuk kemi kërkuar asgjë, por gjithmonë unë jam e keqja… Kur klubi do të vendosë se është momenti i duhur për të na telefonuar, do të përgjigjemi dhe do të ulemi të bisedojmë.”
“Ekziston gatishmëria për të qëndruar gjatë tek Interi. Kam marrë sinjale pozitive, shpresoj të jetë java e duhur. Telefonin e mbaj hapur dhe për mua rinovimi do të kryhet me 100%, edhe pse nuk kam biseduar me askënd. Nuk më pëlqen kur thonë që ambienti i Interit varet nga rinovimi i Mauros, sepse kjo do të thotë që Interi është një klub i dobët dhe kjo nuk është e vërtetë”, përfundon Uanda Nara.