Përpara sfidës kundër Napolit, Tomas Tuhel u shpreh se PSG nuk është favoriti kryesor për të fituar Champions-in. Ndeshja kundër ekipit të Ançelotit ishte fantastike dhe një gol i Di Marias në minutat shtesë të takimit shmangu humbjen e djemve të trajnerit gjerman. Grupi është i fortë, me Liverpulin, Napolin dhe PSG që do të garojnë mes tyre për dy vendet e para.
Një gazetar francez e ka ngacmuar përsëri trajnerin e kampionëve të Francës për faktin që nuk e sheh ekipin e tij si favoriti kryesor për fitimin e kupës me veshë të mëdhenj dhe një gjë e tillë ka sjellë pak tension mes palëve, por në fund gjithçka është sqaruar dhe debati ka marrë fund.
Në prononcimin pas ndeshjes, Tuhel u pa i mërzitur me një nga gazetarët e pranishëm në sallë, që insistoi në pyetjen e tij.
“Ta kam thënë dhe njëherë. Të martën më the se ne ishim favoritët për të fituar Champions-in dhe t’u përgjigja se nuk jemi. Çfarë ka? Duhet të më besosh, sepse kështu është.”
Gazetari u përgjigj, duke e pyetur përsëri trajnerin. “Ç’të themi për disa qindra milionë euro të shpenzuara për fitimin e Champions Ligës? Është pak e çuditshme të thuash që nuk jeni pretendentë.”
Pasi dëgjoi pyetjen, Tuhel u përgjigj menjëherë. “Wow, dakord ky është argumenti yt, por biseda jonë është pak e çuditshme, gjithashtu. Nuk jemi në një restorant këtu. Ti më bëre një pyetje, të dhashë mendimin tim dhe duhet ta pranosh atë opinion, apo jo?” Biseda përfundoi me një “po” nga ana e gazetarit, ndërsa trajneri i PSG i dha fund me fjalët “ah, në rregull, mirë”.