Mauro Ikardi mbetet lideri i Interit. Në prag të ndeshjes me Totenhemin, kapiteni zikaltër u ka dhuruar të gjithë shokëve nga një orë “Rolex”, për trofeun e golashënuesit më të mirë të Serisë A, gjatë sezonit të kaluar.
“Sigurisht që nuk do ta harroj asnjëherë: ‘Këpuca e Artë 2017/2018’. Nuk doja ta kujtoja i vetëm, sepse do të ishte e pamundur ta realizoja pa juve”, ishte komenti i sulmuesit në faqen zyrtare në “Twitter”.
Orat luksoze u janë dhuruar të gjithë futbollistëve, të cilët ishin të grumbulluar për ndeshjen vendimtare në Londër. Por, nëpërmjet “Instagram Stories”, Mautiro qetësoi edhe shokët e ekipit që nuk luajnë në Champions (Zhoao Mario, Dalbert dhe Galjardini), apo ata që janë larguar nga skuadra (Lisandro Lopez, Nagatomo, Pinamonti, Eder, Karamoh, Santon, Rafinja e Kanselo).
Në total, kapiteni i Interit porosi plotë 34 orë të markës “Rolex”. Vlera e secilit prej aksesorëve luksozë përllogaritet në 5,000 euro. Në total, 170 mijë euro të shpenzuara nga Ikardi, i cili tregoi se realisht ka një zemër të artë.